Dardan Berisha jo i gateshem per top skuadra

13/04/2010 15:43

  Basketbollisti Dardan Berisha është duke u kërkuar nga dy skuadrat më të mëdha të Polonisë, përkatësisht nga kampioni aktual Asseco Prokom dhe Anwili. Por, kosovari thotë se ende nuk është i gatshëm të jetë pjesë e ndonjërës prej këtyre skuadrave qysh në stinorin e ardhshëm. 

Kontrata e tij me skuadrën Polonia 2011 i ka skaduar para pak ditësh dhe ai është i lirë të zgjedhë ku do të vazhdojë karrierën.
"Kam oferta nga dy skuadrat më të mëdha të kampionatit polak. Realisht ende nuk jam pjekur si basketbollist të luaj për një skuadër të madhe. Jam vetëm 22-vjeçar dhe ende jam i ri. Do të vendos në muajin maj se në cilën skuadër do të paraqitem edicionin e ardhshëm", ka thënë Berisha.

Për Berishën ky që përfundoi ishte stinori debutues në elitën e basketbollit polak. Ai është ndër lojtarët më të mirë të Polonia 2011, por skuadra nuk arriti të mbijetojë në elitë. Sipas tij, ka ardhur koha të largohet nga kjo skuadër.
"Kontrata më ka skaduar me ndeshjen e fundit të kampionatit të rregullt. Ka ardhur koha të largohem nga kjo skuadër dhe të angazhohem në ndonjë skuadër tjetër. Ende nuk kam vendosur se ku do të luaj", ka shtuar Berisha.
Lojërat e mira me Polonia 2011 kanë ndihmuar kosovarin me shtetësi polake të mbërrijë edhe deri te Përfaqësuesja A e këtij vendi. Në fakt, "lëshimi i rrënjëve" në përfaqësuese është edhe synimi i tij kryesor tash për tash. Ai ka luajtur një ndeshje me ekipin A.
"Nuk besoj se do të largohem nga kampionati i Polonisë. Synimi im kryesor është që të qëndroj këtu për të zënë një vend në përfaqësuese. Nëse largohem nga Polonia gjasat janë shumë të vogla që të bie në sy të seleksionuesit polak. Këtu ndihem mirë dhe dëshiroj të bëj karrierë në këtë shtet", ka shtuar Berisha.
Fundori 193 cm këtë sezon u paraqit edhe në ndeshjen "All-Star" të Polonisë. Ai ishte më i riu në këtë mbrëmje të yjeve dhe kontribuoi me pesë pikë në fitoren e ekipit të Jugut ndaj atij të Veriut (106:92).