Kryesia,fajtori kryesor..

09/04/2010 02:13

 Kryesia e klubit të basketbollit Bashkimi nga Prizreni (meshkujt) e pati nisur kampionatin në Technomarket Superligë si asnjëherë më parë më shumë bujë se do të fitojnë të gjitha trofetë.

Por, pse do të ketë po aq telashe të mëdha dhe të pasosura as vetë nuk e kishte menduar. Trajnerët i ndërruan shpesh, sikurse edhe basketbollistët. Së fundit shkojë edhe Muhamed Thaçi. Këto gjëra as që e shqetësojnë kryetarin e KB Bashkimit, Fadil Sahitin. Ai për herë të parë ka pranuar se faji për të gjitha dështimet bie mbi të dhe vetë kryesinë.

“Fajtorë jemi ne për të gjitha dështime si kryesi së bashku me mua.Fajtori nuk duhet lypur kund tjetër pos të ne kryesia sepse kemi bërë përforcime jo të qëlluara si me trajnerë po ashtu edhe me basketbollistë. Në mbledhjen që kemi mbajtur të martën mbrëma jemi marrë vesh me basketbollistë që të japin maksimumin në luftë për titullin e kampionit. Të gjithë basketbollistët do të jenë në klub, nuk do të ketë largime përveç Muhamed Thaçit, i cili ka treguar përformancë të dobët dhe nuk ka qenë në gjendje të mirë fizike. Prandaj Thaçi e kemi larguar sepse mendoj se ka qenë përforcim jo i qëlluar. Trajneri Mitev pritet kthehet më së largu të enjten sepse ka disa obligime familjare ”, tha Sahiti.

Bashkimi në ndeshjen gjysmëfinale të play-offit do të takohet me Trepçën e Mitrovicës. Si duket Bashkimi e ka ngritur para kohe flamurin në luftë për titullin e kampionit. Më shumë janë të interesuar të përfundojnë kampionatin në mënyrë të rregullt sesa të vrapojmë pas titullit.

“Pas gjithë asaj që ndodhi në finalen e kupës së Kosovës, jam tepër i thyer shpirtërisht. Jo vetëm unë, por të gjithë në klub jemi të thyer. Skena të pahijshme dhe vandalizmat që ndodhën në Mitrovicë na kanë demoralizuar dhe që as që mendojmë të luftojmë për titull. Qëllimi ynë është të përfundojmë kampionatin ashtu si i ka hije dhe në mënyrë të rregullt. As që ia vlen të mendojmë për titull sepse me atë që ndodhi në Mitrovicë çdo gjë e ka humbur vlerën e vet në basketboll”, theksoi Sahiti.

Në pyetjen shtruar Sahitit në rast se Bashkimi mbetet pa asnjë trofe, do të jep dorëheqje nga klubi? Ai tha:“Do të ulem si kryesi e do të analizojmë në tërësi situatën që gjendet klubi”.

Bashkimi ka qenë skuadra që ka pasur më së shumti përforcime me basketbollist të jashtëm. Ata pësuan humbje të turpshme në gjysmëfinale të kupës së Republikë së Kosovës nga Sigal Prishtina me rezultat 104:82. Tashmë kësaj skuadre me traditë të gjatë basketbolli i ka mbetur të luftojë për titullin e kampionit.

Nga ana tjetër, Muhamed Thaçi, që është larguar nga Bashkimi, për disa media ka thënë se, shkak i largimit ka qenë edhe lëndimin që ka pasur më herët, i cili nuk i ka mundësuar të jep vlerat e tija. Njëkohësisht ka thënë se nuk është ndarë gjithaq i kënaqur me drejtuesit e kryesisë.

Ai ka falënderuar adhuruesit “Arpagjikët”, për të cilët ka falënderime dhe lëvdata. Si do që të jetë, Bashkimi vazhdon me probleme dhe me krizë. “Nuk ka krizë vetëm Bashkimi, por i gjithë basketbollit i Kosovës”, tha Sahiti. /botasot