Rapid Viena interesohet per Nuhiun...

08/04/2010 19:09

 

 Futbollisti kosovar, Atdhe Nuhiu, kampionatin e ardhshëm pritet të jetë partner sulmi i reprezentuesit të Shqipërisë, Hamdi Salihit. Skuadra e Salihit, Rapidi i Vjenës, është duke u interesuar për shërbimet e sulmuesit shtatlartë, Nuhiu. Këtë e kanë bërë të ditur të mërkurën mediumet austriake, ndërsa e ka konfirmuar edhe vetë Nuhiu. Ai është duke luajtur për ekipin tjetër të kampionatit austriak, Ried. Në këtë skuadër është i huazuar deri në fund të këtij kampionati nga Karnteni. 
"Atdhe Nuhiu me gjatësi prej 196 cm i ngjason Rapidit në ish-sulmuesin e kësaj skuadre Stefan Maierhofer. Riedi mund që deri në fund të prillit të shfrytëzojë opsionin për të blerë Nuhiun nga Karnteni për 50 mijë euro. Por, probleme mund t'i shkaktojë interesimi i Rapidit për këtë futbollist", ka shkruar të mërkurën gazeta "Kärntner Krone".
20-vjeçari Nuhiu në Ried u huazuar pikërisht për të zëvendësuar Salihin që në janar u transferua te Rapidi i Vjenës. Rapidi angazhoi sulmuesin shkodran për të zëvendësuar Maierhoferin që kaloi te anglezët e Wolverhamptonit.
Reprezentuesi i shpresave të Austrisë, Nuhiu, këtë edicion ka realizuar gjashtë gola. Ai me Karntenin ka kontratë deri në qershor të vitit 2011. 
"Karnteni ka humbur gjasat për të siguruar ekzistencën në Bundesligën austriake dhe assesi nuk do të kthehem në këtë skuadër. Riedi është shumë i interesuar të më mbajë e po ashtu po më kërkon edhe Rapidi. Do të isha shumë i kënaqur nëse kaloi në Rapid. Është klub me traditë, më i madhi në Austri", ka thënë Atdhe Nuhiu të mërkurën për gazetën. 
Rapidi, kampion i Austrisë është shpallur 32 herë. Edhe këtë edicion është në luftë për titull. Pas javës së 28-të mban pozitën e dytë me 56 pikë, gjashtë më pak se Salzburgu. Salihi është shënuesi i dytë i kësaj skuadre me 13 gola të shënuar.