Trepca mposht Bashkimin...

11/04/2010 00:35

Basketbollistët e Trepçës kanë bërë një hap të madh drejt finales së plejofit të Technomarket Superligës. Trepça të shtunën në Bardhosh të Prishtinës mposhti skuadrën e Bashkimit me shifrat 97:86 në kuadër të duelit të parë gjysmëfinal të garave shtesë. "Xehetarët" ishin nikoqirë në Bardhosh, pasi janë dënuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës që gjashtë ndeshjet e ardhshme t'i luajnë 30 kilometra larg Mitrovicës. Trepça gjithashtu në këtë ndeshje ka qenë e obliguar të luajë pa praninë e tifozëve. Klubi mitrovicas është dënuar për shkak të akteve të dhunës që ndodhën në finale të garave të kupës. Në anën tjetër, Bashkimi në takimin e parë të plejofit u paraqit pa trajnerin Boban Mitev dhe plejmejkerin Mirza Ahmetbashiq që javën e kaluar kanë braktisur skuadrën. Ekipin prizrenas e ka udhëhequr dyshja e trajnerëve Edin Kërveshi dhe Florim Lubovci. 
Më i dalluari te skuadra e Trepçës në këtë përballje ishte Drilon Hajrizi me 31 pikë, që ishte i ndihmuar nga Dime Tasovski. Reprezentuesi i Maqedonisë shënoi 26 pikë.  
"Ishte shumë e vështirë dhe kjo u vërtetua gjatë dy çerekëve të parë ku u vërejtën ende pasojat nga humbja për kupë. Mirëpo, pas pushimit erdhëm në vete dhe fituam me meritë. Tash kemi një avantazh për ndeshjen e dytë, ndërsa shpresoj të shkojmë në finale", ka thënë Dime Tasovski. 
Te skuadra e Bashkimit vetëm tre basketbollistë shënuan pikë dyshifrore. Më i dalluari ishte Muhamed Thaçi (27), i përcjellë nga Ersid Luca (20) e Demarius Bolds (18).