Bayern,mbret i rikthimeve...

Bayern,mbret i rikthimeve...
  Futbollistët e Bayern Munchenit kanë marrë epitetin "mbretërit e rikthimit". Gjiganti gjerman falë një rikthimi sensacional kundër Juventusit në sfidën vendimtare, arriti të kalonte fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Një rikthim sensacional e arriti edhe në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales kundër Fiorentinës, të cilën e humbi me rezultatin 3:2 në Firencë, por falë më shumë golave të shënuar si mysafir arriti në çerekfinale. Të njëjtën gjë e përsëriti edhe të mërkurën mbrëma në "Old Trafford" kundër Manchester Unitedit. Bayerni ishte në prag të një debakli, kur pas 41 minutave lojë ishte në disvantazh prej 3:0, por edhe kësaj radhe "bavarezët" nuk u dorëzuan, një gjë që i karakterizon skuadrat gjermane. Ata arritën të shënojnë dy gola dhe të sigurojnë një biletë për në gjysmëfinale të "Championsit". 
"Mund vetëm të komplimentosh skuadrën. Mund vetëm të përulesh dhe të përgëzosh skuadrën për përkushtimin, energjinë dhe pasionin. Duhet të kujtojmë se disa herë këtë stinor gati u eliminuam nga gara. Kundër Juventusit në Torino, kundër Fiorentinës në Firence, dhe kundër Manchesterit. Por kjo skuadër ka një pasion të pabesueshëm. Me një atribut të tillë mund të arrish larg në këtë garë", ka thënë drejtori i përgjithshëm i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge.
Bayerni në ndeshjen e fundit të fazës grupore në Torino ishte në disavantazh kundër Juves me rezultatin 1:0. "Bavarezëve" u duhej me çdo kusht fitorja që të kalonte në 1/8 e finales dhe këtë e arritën duke e shkatërruar Juven (4:1). 
Edhe kundër Fiorentinës në ndeshjen e kthimit ishin dy herë në disavantazh prej dy golave në ndeshjen e kthimit dhe ishin në prag të eliminimit, por arritën sërish të shpëtonin. Por rikthimin më sensacional Bayerni e bëri të mërkurën mbrëma, kur e eliminoi Manchesterin. Njëherësh, Bayerni iu revanshua Manchesterit për disfatën që ia kishte shkaktuar skuadra angleze në finalen e "Championsit" të vitit 1999 (2:1). 
"Pasi kaluam në disavantazh prej 3:0, unë kam menduar se kjo natë do të jetë e vështirë. Por edhe para ndeshjes ne kemi thënë se shumëçka është e mundur këtë stinor. Unë kam qenë i dëmtuar dhe mjeku më ka thënë se mund të luaj vetëm 60 minuta, pasi më shumë do të rrezikoja. Por unë i thashë trajnerit që të pres edhe pak. Pas golit ai më zëvendësoi menjëherë", ka thënë heroi i Bayernit, Arjen Robben, që shënoi golin e dytë dhe të kualifikimit për Bayernin. 
Bayerni në gjysmëfinale do të përballet me skuadrën franceze Olympique Lyon. Për Bayernin është hera e parë që gjendet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve që nga viti 2001. Atëbotë skuadra gjermane doli kampione.
"Tashmë është një ëndërr e realizuar. Ka qenë nata më e mirë e karrierës sime", ka thënë shënuesi i golit të parë të Bayernit, Ivica Oliq. Oliq po ashtu shënoi golin e fitores për Bayernin në ndeshjen e parë. 
"Ne arritëm t’i bindnim futbollistët se është e mundur të kualifikohemi. Futbollistët besuan në këtë dhe e arritën", ka thënë trajneri i Bayernit, Louis Van Gaal.