Genc Hoxha, do të vazhdojë bashkëpunimin me Besën e Pejës

Genc Hoxha, do të vazhdojë bashkëpunimin me Besën e Pejës

 Trajneri Genc Hoxha, do të vazhdojë bashkëpunimin me Besën e Pejës edhe për Kampionatin e ardhshëm. Skuadra pejane, pos trajnerit, pritet ta rikthejë edhe dyshen e Drenicës, Dukagjin Gashin e Fitim Halitin

Genc Hoxha vazhdon t’i mbetet besnik Besës së Pejës. Trajneri gjakovar ka rënë dakord me kryesinë e klubit për të vazhduar bashkëpunimin edhe për Kampionatin e ardhshëm. “Jemi të kënaqur me punën e Genc Hoxhës, andaj ai do të mbetet edhe Kampionatin e ardhshëm trajner i yni”, ka thënë për “Sport” anëtari i kryesisë së Besës, Naim Sahiti. Vazhdimin me pejanët e ka konfirmuar edhe vet Hoxha. “Kryesia ka rënë dakord që unë ta drejtoj edhe më tutje skuadrën, prandaj do të vazhdoj të mbetem në Besë”, ka thënë ish-trajneri i Vëllaznimit. Hoxha është trajner i “Kuqebardhëve” prej vitit 2005, ndërsa me këtë klub ka të fituar edhe dy tituj kampioni në vitet 2006 dhe 2007. Gjatë kësaj periudhe, u largua vetëm një herë gjatë Kampionatit 2007/2008, kur drejtoi Vëllaznimin.

 

Kërkojnë kthimin e Halitit e Gashit

 

Pos trajnerit Hoxha, kryesia e këtij klubi është duke kërkuar kthimin e dyshes së Drenicës, mesfushorin Dukagjin Gashi e sulmuesin Fitim Haliti. “Këta të dy janë synimi ynë, ndërsa nga skuadra deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë të lojtarëve për largim nga klubi. Sidoqoftë, më 1 korrik do të mblidhet kryesia dhe do ta shqyrtojmë situatën e të gjithëve”, deklaroi Sahiti.

 

Fitim Haliti

 

Sulmuesi i Drenicës, Fitim Haliti, ka dëgjuar për fjalët që qarkullojnë rreth kthimit të tij në Pejë, por thotë se deri më tani nuk ka diçka konkrete. “Pavarësisht kësaj, unë së pari do të flas me drejtuesit e Drenicës, sepse ata janë treguar gjithnjë korrektë me mua. Nuk mund të them asgjë për kthimin tim në Besë, por para tyre dhe Drenicës nuk mund të shkoj në ndonjë klub tjetër”, u shpreh ish-sulmuesi i Besës së Pejës, Haliti. Ai pohon se është duke u kërkuar edhe nga dy skuadrat mitrovicase, Trepça dhe Trepça ’89. Ndërkohë, Dukagjin Gashi ditë më parë theksoi për “Sport” se 90 për qind do të rikthehet në Besë. Nga kjo skuadër pritet të largohet sulmuesi Krenar Vokshi.