K.H Prishtines i merret 1 pike..

20/04/2010 13:53

 Klubit të hendbollit Prishtinës në konkurrencën e femrave iu ka kushtuar mjaft shtrenjtë tërheqja nga fusha në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales të kupës së Republikës së Kosovës në ballafaqim me Kastriotin në Ferizaj.

Komisioni i Garave i Federatës së Hendbollit të Kosovës, ndeshjen e ndërprerë Kastrioti-Prishtina në minutën e 52 e 38 sekonda, kur rezultati ishte 23:20 për Kastriotin, e ka regjistruar me rezultat 10:0 në favor të ferizajasve. Kastrioti kualifikohet në finale dhe takohet të dielën në orën 17.00 me Shqiponjën, ndërsa Prishtina eliminohet nga kupa.

Prishtina nuk shpëton vetëm me humbjen e ndeshjes me rezultat zyrtar, por i merret edhe një pikë në garat kampionale. Prishtina dënohet edhe me 200 euro sipas Nenit 86 për tërheqjen e skuadrës, ndërsa përfaqësuesi i saj, Fitim Arifi dënohet me 6 muaj mos ushtrim detyre në hendboll për shkak se ai ka qenë edhe përfaqësues zyrtar në momentin e tërheqjes si dhe gjobitet me 100 euro.

Trajneri i Prishtinës, Beqir Hasanxhekaj dënohet me 100 për deklarata të pamatura, ndërsa Kastrioti me 100 euro për hedhjen të gjërave të ndryshme në fushë nga ana e shikuesve si dhe me 100 euro për mos dërgimin e kasetës së lojës. Kohëmatësi i sallës në Ferizaj, Enver Kajtazi, dënohet me tre muaj.