FIFA: Kosova nuk është Serbi

FIFA: Kosova nuk është Serbi

 Federata Botërore e Futbollit (FIFA) dhe organizatorët e Kampionatit të Botës në Futboll “Afrika e Jugut 2010”, në fletushkën e tyre zyrtare për këtë eveniment të madh sportiv, Kosovën e kanë lënë jashtë Serbisë edhe pse FFK-ja ende nuk është pranuar nga FIFA. Serbia në këtë fletushkë zyrtare të FIFA-së, është prezantuar vetëm në kufijtë e saj administrativ dhe Kosova ka mbetur jashtë saj, si shtet i pavarur. Se nuk bëhet fjalë për gabim gjatë vizatimit të hartës së Serbisë, autorët e fletushkës zyrtare Nikolas Eberl dhe Herman Shonbi në tekstin e tyre duke prezantuar Serbinë theksojnë se ky vend ka 7.380.000 banorë, që është numri i për afërt me numrin e banorëve të Serbisë, pa Kosovën. Në pjesën tjetër të prezantimit të Serbisë, janë të regjistruara rezultatet e ish Jugosllavisë. Autorët në tekstin e tyre gjithashtu rikujtojnë se Serbia ka medalje të fituara në garat e mëdha në sportet e tjera si basketboll, vaterpolo dhe tenis. FIFA ende nuk e ka pranuar FFK-në, si anëtare të saj, por duket se hapi i parë për pranimin e futbollit të Kosovës në familjen e madhe botërore është bërë me publikimin e fletushkës zyrtare.