Prishtina fiton derbin..

 Sulmuesi Faton Zejunullahu ka shënuar golin e parë si futbollist i Prishtinës dhe ky gol pati vlerën e tri pikëve në derbin e javës së 24-t të Raiffeisen Superligës kundër Trepçës. Takimi i luajtur të mërkurën në Prishtinë përfundoi me shifrat 1:0 në të mirë të kampiones në fuqi, Prishtinës.

Për Zejnullahun kjo ishte edhe ndeshja e parë në Stadiumin e Prishtinës që kur u transferua prej Flamurtarit gjatë dimrit, ndërkohë për ekipin e Prishtinës kjo është fitorja e dytë rresht brenda katër ditëve. Para Trepçës me rezultat identik mposhti edhe Besën në Pejë, fundjavën që shkoi. Tani Prishtina është ngjitur në pozitën e pestë me 36 pikë, vetëm pesë më pak se liderja e Superligës, Trepça. 
Goli i fitores u shënua në minutën e 68-të. Mesfushori Genc Sermaxhaj, i cili sapo hyri në lojë harkoi nga gjuajtja e lirë brenda në zonë ku përfitoi Zejnullahu, që nga afërsia mposhti Suad Përtinacin. 
Skuadra e Trepçës gjatë tërë ndeshjes nuk regjistroi asnjë rast para portës së Feim Statovcit, me përjashtim të një gjysmërasti në minutën e 90-të kur Afrim Mziu u vonua pas harkimit të Samir Sahitit. 
Prishtina në minutën e fundit të pjesës së parë pati rast të mirë me anë të Ilir Berishës, që me kokë nga afërsia gjuajti pranë portës. Në pjesëlojën e dytë përveç golit, Prishtina pati edhe një rast nëpërmjet Taulant Dajakut (59).