Rilind Juniku:Nuk do biem nga Superliga

Rilind Juniku:Nuk do biem nga Superliga

Futbollisti Rilind Juniku është rikthyer pas dy muajve me sukses të plotë në radhët e skuadrës me traditë të futbollit, Vëllaznimi nga Gjakova.

Ai ka qenë edhe kreatorë i fitores së Vëllaznimit me rezultat 1:0 si mysafir në Prizren kundër Lirisë. 19-vjeçari ka pushuar së paku dy muaj për shkak të lëndimit që ka pasur në ligamentet e gjurit.

“Kam qenë dy muaj jashtë fushës së futbollit. Arsye që nuk kam mundur t’u ndihmojë shokëve ka qenë se e kam pasur të lënduar ligamentet e gjurit të këmbës. Fatmirësisht më është sanuar lëndimi dhe u ktheva me sukses të plotë. Dy javë kam stërvitur me intensitet të shtuar dhe kam arritur që të ngrejë formën time”, tha Rilindi.

Ky futbollist që luan në pozitën e sulmuesit premton se do të shënojë sa më shumë gola në vazhdim të kampionatit. Ai është aktivizuar në pjesën e dytë të takimit për Vëllaznimin, por paraqitja e tij ka dhënë edhe frytet e veta. Goli i tij ishte vendimtar që Vëllaznimi të kthehet me tri pikë të plota.

Rilind Juniku megjithëse ishte i merituar për golin e shënuar, ai meritat ia ka dedikuar portierit Kushtrim Mushica.

“Meritat për fitoren e Vëllaznimit i ka portieri Kushtrim Mushica, i cili me mbrojtjet e tija fenomenale bëri që skuadra jonë të kthehet me fitore. Nga ana tjetër, jam i gëzuar që u ktheva me gol në skuadrën e Vëllaznimit”, nënvizoi Juniku.

Vëllaznimi i Gjakovës tashmë renditet në vendin e 11-të me 22 pikë dhe me mundësi të mëdha që të kalojë edhe më lartë në renditjen e tabelës.

“Shpresojmë se do të dëshmojmë lojëra edhe më të mira në vazhdim të kampionatit. Në dhjetë ndeshjet e fundit presim të shënojmë rezultate të mira. E dimë se çdo ndeshje është e vështirë, por ajo më e vështira do të jetë kundër Prishtinës që do të zhvillojmë në Gjakovë”, tha Juniku.

Sulmuesi gjakovar premton gola në ndeshjet e ardhshme. “Është interesant se çdo ndeshje me ndjekin golat. Prandaj, besoj shumë se edhe në ndeshjet e ardhshme do të shënojë gola. Synimi jonë është sigurimi i mbijetesës që besoj nuk do të vjen në shprehje rënia e Vëllaznimit. Mbase i bindur jam se do të fusim për fundi në renditjen e tabelës Kosovën e Vushtrrisë”, tha Juniku.