Sahiti:Premtoj nje Gjilan ndryshe...

Sahiti:Premtoj nje Gjilan ndryshe...

 Gjilani ishte skuadra më e dobët e pesë xhirove të para të stinorit pranveror. Në pesë ndeshje ekipi gjilanas ka marrë vetëm një pikë. Ka barazuar me Drenicën pa gola, ndërsa është mposhtur prej Prishtinës (2:1), Besës (2:0), Flamurtarit (3:1), KEK-ut (2:1). Pas këtyre rezultateve skuadra që drejtohet nga Muharrem Sahiti ka rënë në pozitën e fundit (12) të Raiffeisen Superligës me vetëm 18 pikë të tubuara në 22 ndeshje. 
Sahiti thotë se këto rezultate kanë ardhur si pasojë e problemeve me lëndime të futbollistëve. 
"Vetëm një pikë e fituar në pesë ndeshje është bilanc shumë i dobët. Problemi ka qenë që nuk kemi luajtur asnjë ndeshje me formacion të kompletuar", ka thënë të premten Muharrem Sahiti.
Sipas tij, Gjilani do të paraqitet shumë më ndryshe në fazën e tretë të  Superligës që nis të dielën (nesër). Ai pret që shumë shpejt skuadra t'u kthehet rezultateve pozitive.
"Ne do të mundohemi t'i harrojmë ndeshjet e kaluara dhe të përqendrohemi në ndeshjet e ardhshme. Gjilani do të paraqitet krejt ndryshe në fazën e tretë. Asgjë nuk ka përfunduar. Tashmë jemi stabilizuar edhe materialisht dhe jemi kompletuar në të gjitha aspektet. Gjasat për të mbetur në Superligë janë reale", ka shtuar Sahiti.
Së fundi Gjilani është përforcuar me mesfushorin Muhamet Dragusha dhe disa futbollistë nga Maqedonia. 
Sahiti një pjesë të fajit për rezultate të dobëta ia lë edhe stadiumit të Gjilanit, që sipas tij, është i papërshtatshëm për lojë. Ai thotë se fusha e stadiumit të Gjilanit më shumë u konvenon ekipeve mysafire. 
"Terreni ynë nuk na lejon të zhvillojmë lojë të mirë dhe më shumë u përshtatet mysafirëve. Skuadrat që vijnë të zhvillojnë lojë mbyllen dhe mundohen me kundërsulme të luajnë kundër nesh, ndërsa ne mundohemi që të luajmë lojë të hapur e që në fund kjo shkon në disfavor të ekipit tim", ka theksuar Sahiti.

Gjilani të dielën në kuadër të javës së 23-të do të jetë mysafir i Flamurtarit.