Shkarkohet Prekazi...

Shkarkohet Prekazi...

 Luan Prekazi është shkarkuar nga posti i trajnerit te skuadra e Hysit. Prekazin në këtë post përkohësisht do ta zëvendësojë dyshja Fadil Ademi e Arbnor Morina, ka bërë të ditur të hënën sekretari i përgjithshëm i klubit Hysi, Agim Luta. Shkarkimi i Prekazit ka ardhur një ditë pas humbjes nga Kosova e Vushtrrisë në Merdar (1:2).

"Luan Prekazi më nuk do ta udhëheqë Hysin. Vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit të skuadrës të hënën. Realisht ai duhej të jepte vetë dorëheqjen, pasi nën drejtimin e tij skuadra nuk ka shënuar asnjë fitore në pranverë. Fadil Ademi e Arbnor Morina do ta udhëheqin skuadrën përkohësisht", ka thënë sekretari Luta. 
"Nuk është me rëndësi se a është shkarkim apo dorëheqje. Mua ende nuk më është kumtuar vendimi, por sipas të gjitha gjasave unë do të largohem nga ky post. Nëse kanë vlerësuar që unë jam fajtori për rezultatet e dobëta të Hysit, atëherë është në rregull", ka shtuar Prekazi.
Aktualisht skuadra nga Merdari zë vendin e pestë në tabelë me 34 pikë, gjashtë më pak se liderja Trepça.